Markus Rashford rrezikon të qëndrojë deri në 12 javë larg fushave pas një operacioni në shpatull që ishte planifikuar të zhvillohej pas Europianit. Sulmuesi i Mançester Junajtidit pritet të operohet në fund të këtij muaji pas një problemi kronik që e shqetëson prej kohësh në shpatull.
Pas operacionit 23-vjeçari mund të rikthehet brenda 5 javëve në stërvitje.
Por, riaftësimi i tij mund të zgjasë deri në 12 javë dhe sulmuesi mund të jetë sërish në dispozicion të trajnerit Ole Gunar Solskjaer në muajin tetor. Ajo penalltia e humbur në finalen kundër Italisë në Europian, u pasua nga sulmet raciste ndaj tij dhe shokëve të skuadrës, Xhejdën Sanço dhe Bukajo Saka, duke bërë që sulmuesi i Junajtidit të përjetojë momentin më të vështirë në karrierën e tij.
“Mund t’i pranoj të gjitha kritikat për paraqitjen time.
Penalltia nuk u godit mirë, duhet të kishte hyrë brenda, por nuk do të kërkoj kurrë falje për atë që jam dhe nga vij”, tha Rashford përmes një letre.