Erling Haaland është në majën e listës së dëshirave të shumë klubeve të pasura në Europë dhe këtu nuk ka asgjë të jashtëzakonshme, sepse po flitet për një sulmues që në sezonin e fundit ka shënuar 41 gola në 41 ndeshje dhe për dikë që e ka harruar është ende 20 vjeç.
Ditët e fundit ka dalë në skenë një ofertë e çmendur e Chelsea-t prej 175 milionë eurosh, një shifër që do ta trondiste Dortmundin, por, me sa duket, për momentin klubi gjerman kërkon ta mbajë në skuadër “yllin” norvegjez. Këtë e ka konfirmuar në një prononcim për mediat gjermane përgjegjësi i ekipit, ish-mesfushori, Sebastian Kehl.
“Nuk ka asgjë të re në lidhje me Haaland. Ai është në planet tona dhe shumë shpejt do t’i bashkohet skuadrës në stërvitje. Erling është i etur për të shënuar sa më shumë me Dortmundin dhe ndihet shumë mirë tek skuadra jonë. “
Kehl e përmendi jo pa arsye edhe praninë e sulmuesit në stërvitje në ditët e ardhshme, sepse Haaland ka munguar në seancat e para stërvitore të Borussias, duke ndezur zërat për një largim të tij, ku përveç Chelsea-t kanë shfaqur interes edhe Reali i Madridit e Manchester City.