Sot (e enjte) ka ndërruar jetë ish-futbollisti nga Kosova, Naser Ibrahimi.
Naser Ibrahimi ka qenë futbollist i shquar llapjan dhe kishte luajtur për KF Llapin.
Lajmin për vdekjen e tij e bëri të ditur Federata e Futbollit e Kosovës, pas një telegram ngushëllimi drejtuar te familja Ibrahimi dhe KF Llapi.
Telegram ngushëllimi nga Presidenti i FFK-së, Agim Ademi:
“E nderuara Familje Ibrahimi
Të nderuar drejtues dhe dashamirë të KF Llapi
Me pikëllim të thellë e morëm lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj dhe ish-futbollistit të shquar llapjan, Naser Ibrahimi, andaj në këto momente të vështira për ju, më lejoni që në emrin tim, KE të FFK-së, klubeve dhe të gjithë komunitetit të futbollit në Kosovë, të ju shpreh ngushëllimet tona më të sinqerta.
Naseri ishte një futbollist tejet i talentuar në kohën e tij dhe me potencial të madh për karrierë të suksesshme evropiane, por lëndimi ia vështirësoi gjërat.
Sidoqoftë, ai, nga bashkëkohanikët e tij vlerësohej si një futbollist me vlera të mëdha dhe shembull i njeriut të dashur, të vyeshëm, të palodhshëm dhe të papërkulshëm nëpër sfida.
Edhe pse jetonte e vepronte në Diasporë, Naseri vazhdimisht ishte i interesuar për zhvillimet në futbollin e Kosovës, e veçmas për klubin e tij të zemrës.
Në këto momente të vështira të gjithë jemi pranë jush, për ta përballuar dhimbjen për humbjen e njeriut më të dashur për ju.
I qoftë i lehtë dheu i Kosovës!, ka shkruar Agim Ademi, president i FFK-së”.