Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka uruar klubet shqiptare për kualifikim tutje në Ligën e Konferencës.
Të enjten u zhvilluan ndeshjet e dyta apo të kthimit të raundit të parë kualifikues të kësaj gare.
Tri klubet pjesëmarrëse nga Shqipëria; Vllaznia, Partizani dhe Laçi siguruan kualifikimin tutje, për çka shkroi edhe Duka së fundmi në faqen e tij.
“Urime Vllaznia, urime Partizani, urime Laçi!
Të dashur miq, dua t’u shpreh urimet më të mira 3 skuadrave tona, që na dhuruan një natë magjike dhe kualifikime plotësisht të merituara me gola, spektakël dhe emocione të mëdha.
Këto suksese janë meritë e një pune të mirë nga stafet teknike, lojtarët dhe drejtuesit e klubeve, të cilëve dëshiroj t’ju përcjell përgëzimet e mia më të sinqerta.
Turi i dytë i UEFA Europa Conference League rezervon rivalë të fortë, por jo të pakalueshëm. Me besim dhe impenjim maksimal gjithçka është e arritshme ndaj çdo kundërshtari” – ka shkruar i pari i FSHF-së, Armand Duka.