Spekulohet se ylli i Tottenham dëshiron t’i bashkohet kampionit të Premier Ligës angleze.
Disa nga bashkë-lojtarët e Harry Kane tek Kombëtarja e Anglisë po besojnë që ai do të refuzoj që të paraqitet në përgatitjet para sezonit të ri, vetëm për t’i bindur krerët e Tottenham që të largohet drejt Manchester Cityt, raporton “The Telegraph”.
Që nga përfundimi i sezonit 2020/21, Kane vazhdimisht ka qenë pre e spekulimeve, duke e lidhur me një transferim tek City, sidoqoftë trajneri i ri i “Gjelave” Nuno Espirito Santo ka bërë të qartë se Kane është lojtar i Tottenham.
Por me spekulimet e fundit, disa nga shokët e Kane tek Kombëtarja e Anglisë besojnë që ai nuk do të pranojë të jetë pjesë e grumbullimit të lojtarëve tek Tottenham, vetëm për të kompletuar këtë verë një transferim tek Manchester City.
Harry Kane është njëri ndër sulmuesit më të mirë në botë, ku deri tani ka bërë 336 paraqitje për skuadrën e Tottenham në të gjitha garat, duke regjistruar 221 gola dhe 47 asistime mbi emrin e tij.