Në shtëpinë e Milanit, përveç merkatos në hyrje, çështja e rinovimit të kontratës së Franck Kessie gjithmonë zë vendin e parë.
Kuqezinjtë qartësisht nuk duan ta shtyjnë pa fund këtë process, duke iu druajtur precedentëve të Donnarumma dhe Calhanoglu, të cilët ikën falas. Kjo është arsyeja pse Paolo Maldini e ka me nxitim mbylljen e kësaj çështje. Pra, duhet “burgosur” me kontratë të re ai që ishte padyshim lojtari më i mirë i sezonit të kaluar. Pranuar gjerësisht edhe nga Pioli.
Ekonomikisht, palët janë bërë dukshëm më të afërta se disa javë më parë, kur përfaqësuesi i Kessie nuk lëvizte nga kërkesa prej 6 milionë eurove (neto) në sezon, përballë ofertës së klubit prej 5 milionë, plus bonuse të përfshira.
Tani Milani ka arritur pragun prej 6 milionë, por duke marrë parasysh edhe bonuset. Në këtë moment, “tërheqja e litarit” vazhdon, por ndjenja është se në fund do të ketë “tym të bardhë”, duke pasur parasysh rëndësinë parësore të Kessie në projektin kuqezi.