Në ditëlindjen e 61-të të Fadil Vokrrit u bë zbulimi i shtatores së tij, pranë stadiumit të kryeqytetit që me krenari e bartë emrin e Legjendës së futbollit të Kosovës. Në ceremoninë e përurimit të shtatores së Vokrrit, i cili u nda nga jeta tre vjet më parë, krahas presidentit të FFK-së, Agim Ademi dhe familjes Vokrri, ishin të pranishëm edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, personalitete politike, bashkëlojtarë dhe miq të shumtë të Legjendës.
Ish-futbollisti i Prishtinës, Bruno Ceka e ka kujtuar Vokrrin në kohën kur Kosova ende nuk ishte e pranuar ndërkombëtarisht.
“Nuk di se si të shprehem pasi jam më se i emocionuar. Vetëm një rast të vogël po ua tregoj. E organizuam një turne të futbollit në Dallas edhe u bashkëngjit edhe Fadili më Agim Canën e Sylejman Demollarin. Në atë turne ishte e ftuar Argjentina dhe Brazili.
Aty fillojë baza e parë e ndërkombëtarizimit të futbollit kosovar”, theksoi ai.
Ndërkaq, ish-kapiteni i Prishtinës, Ramadan Cimili u shpreh: “Jam krenar që kam qenë kapiteni i tij.
Por, jam krenar që ka qenë edhe kapiteni im. Prandaj, ne kemi një gjeneratë që nuk duhet kurrë të harrohet, sepse e kemi mbajtur futbollin gjallë dhe e kemi prezantuar Kosovën në mënyrën më të mirë".