PSG nuk dëshiron të ndalet. Pas ardhjeve të Wijnaldum, Sergio Ramos, Donnarumma dhe Hakimi, klubi parizien ka shënjestruar Paul Pogba si nënshkrimin e ardhshëm të fushatës faraonike të transferimit të kësaj vere. Ish-mesfushori i Juventusit, i cili kurrë nuk ka luajtur në Ligue 1, kontrata e të cilit skadon mbas një viti me Manchester United, mund të kalojë në hijen e Kullës Eiffel, nën urdhërat e Mauricio Pochettino.
Pas thashethemeve të fundit në lidhje me transferimin e mundshëm të tij, disa tifozë të PSG kanë dalë kundër ardhjes së mesfushorit francez. Në orët e fundit, disa parulla janë shfaqur në vende të dukshme, me mesazhe të forta dhe të qarta, dërguar menaxhmentit të klubit dhe vetë Pogba: “Pogba, ti duhet të dëgjosh nënën tënde, ajo nuk të dëshiron këtu. As ne!”
Kjo parullë u shfaq në stadiumin “Parc des Princes” dhe në “Camp des Loges”, qendra sportive e PSG. Asnjë grup tifozësh nuk ka pretenduar autorësinë e këtij veprimi për momentin, por duket qartë pozicioni kundër Paul Pogba.
Referenca për nënën e Pogba duket se lidhet me besimin në futboll të familjes së mesfushorit 28-vjeçar, i cili ka qenë gjithmonë tifoz i Marseille. Vetë Paul kishte deklaruar hapur disa vite më parë se mbështeste OM që fëmijë: “Babai im ishte një tifoz i Marseille, edhe unë gjithashtu. I shikoj të gjitha ndeshjet, ka qenë gjithmonë një ekip që unë e kam ndjekur”.
Një lëvizje që shkon kundër trendit të shumicës së tifozëve, të cilët vazhdojnë të ëndërrojnë transferimin e ish-yllit të Juves dhe shtyjnë përmes rrjeteve sociale për blerjen e lojtarit të Manchester United.