Tuchel flet për golin e shqiptarit

Futboll

Tuchel flet për golin e shqiptarit

Më: 28 korrik 2021 Në ora: 11:24
Tuchel flet për golin e shqiptarit

Armando Broja vijon të forcojë pozitat e tij në klubin e Chelseat, pasi menjëherë pas rinovimit deri në verën e 2026-ës, po vë gjithmonë e më shumë në vështirësi trajnerin Tuchel me golat që po shënon në miqësoret para-sezonale.

Kështu pas një goli e një asisti në sfidën ndaj Peterborough 10 ditë më parë, sulmuesi 19-vjeçar gjeti sërish rrjetën pasditen e djeshme, në miqësoren që londinezët e fituan me rezultatin 1-2 me përmbysje ndaj Bournemouthit.

Sulmuesi shqiptar u aktivizua në fillim të pjesës së dytë, kur rezultati ishte ende i barabartë 0-0, ndërsa në minutën e 66’ ishte Marcondes që kaloi në avantazh skuadrën e Bournemouthit.

Megjithatë reagimi i bluve të Londrës ishte mjaft i shpejtë dhe në të 72-tën Baba Rahman hodhi një kros në zonë, aty ku Broja stopoi mirë dhe me një gjakftohtësi për t’u admiruar, arriti ta dërgojë topin në rrjetë e të rikthejë baraspeshën, ndërsa katër minuta më vonë ishte Ugbo që shënoi golin e fitores.

Në përfundim të takimit, trajneri i kampionëve të Europës, Thomas Tuchel u shfaq mjaft i kënaqur me paraqitjen e sulmuesit të Kombëtares Shqiptare, që duket në rrugën e duhur për të fituar një vend në skuadër për sezonin e ardhshëm.

“Më pëlqeu shumë reagimi i skuadrës pas golit të pësuar,. Në pjesën e dytë luajtëm me tre mesfushorë dhe dy sulmues si Broja e Ugbo që bënë një punë mjaft të mirë. Të dy shfrytëzuan rastet e vetme që patën dhe mund të them se jam shumë i kënaqur me atë që bënë në fushën e lojës. Fitoret në këto miqësore na ndihmojnë të ndërtojmë një mentalitet të fortë dhe të kërkojmë suksesin gjithmonë”, tha trajneri gjerman pas ndeshjes.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat