Presidenti Agim Ademi së bashku me anëtarin e KE-së, Ismajl Ajeti dhe kryetarin e LRF të Pejës, Avdi Gashi e kanë vizituar KF “Behar” nga Vitomirica, për ta parë nga afër gjendjen e këtij klubi dhe organizimin e tij në prag të edicionit të ri.
Ky klub, i cili i takon komunitetit boshnjak dhe garon në Ligën e Dytë kohët e fundit është riorganizuar dhe ka gjendje stabile, falë punës së madhe dhe përkushtimit të të gjithë të përfshirëve në klub.
Me këtë rast presidenti Ademi i ofroi këtij klubi mbështetjen e FFK-së dhe përgëzoi drejtuesit e tij që kanë hedhur një hap tjetër të rëndësishëm, duke e krijuar edhe ekipin e femrave, i cili nga edicioni i ardhshëm do të bëhet pjesë e garave.
Po ashtu, ky klub është mjaft i suksesshëm edhe me shkollën e futbollit, ku janë të përfshirë mbi 100 fëmijë të grupmoshave të ndryshme, e të cilët bëjnë gara në regjion. Duke pasur parasysh organizimin e mirë dhe nevojën për t’iu krijuar kushte sa më të volitshme për punën gjeneratave të reja, presidenti Ademi i ofroi këtij klubi mbështetjen e institucionit që drejton për ndërtimin e një fushe stërvitore për nevojat e shkollës së futbollit, në rast se Komuna e Pejës e siguron parcelën për këtë fushë dhe infrastrukturën përcjellëse.