Drita e Gjilanit ishte në prag të sensacionit që të eliminojë Feyenoordin e madh, pasi gjatë gjithë takimit ishte në epërsi, megjithatë ekipi holandez përmbysi rezultatin dhe në minutën e 90-të erdhi deri te fitorja (3:2) dhe kualifikimi në raundin e tretë të UEFA Conference League.
Feyenoordi i pari kaloi në epërsi në minutën e 12-të, Simonovski solli barazimin e rezultatit, ndërsa më pas skuadra e trajnerit Ardian Nuhiu përmes Astrit Fazliut kaloi në epërsi prej 1:2.
Skuadrat me këtë rezultat shkuan në pushim, ndërsa në vazhdim të takimit skuadra holandeze përmbysi rezultatin në 3:2.
Sulmuesi i njohur Astrit Fazliu rrëfen ndjenjën e shënimit të golit në stadiumin “De Kuip” në Roterdam.
“Normal që ishte një ndjenjë e veçantë, pasi të shënosh kundër një ekipi siç është Feyenoord është diçka e mirë, por fat nuk patëm që të bëjmë histori dhe të kualifikohemi”, deklaroi për News-TV, sulmuesi me përvojë Astrit Fazliu.
Drita sot pasdite është kthyer nga Holanda për në aeroportin “Adem Jashari” në Prishtinë.
Ndeshja e parë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë kishte përfunduar pa gola 0:0.