Ilirid Ademi është futbollisti më i ri i Laçit. Shqiptari nga Maqedonia e Veriut luan si sulmues i majtë, por gjithashtu di të përshtatet edhe në pozicione të tjera të repartit të avancuar, ndaj pritet të shndërrohet në një lojtar xholi për trajnerin Shpëtim Duro.
Sulmuesi 26-vjeçar e ka nisur karrierën me Gostivarin, ndërsa më pas ka veshur edhe fanellat e skuadrave si Makedonija GP, Renova e së fundi Shkupi, me të cilët luajti 31 ndeshje në sezonin e fundit, shënoi 4 gola dhe dha tre asiste.
Ilirid Ademi do të vihet menjëherë në dispozicion të trajnerit Shpëtim Duro dhe ndonëse do të jetë e vështirë të marrë minuta në përballjen e parë ndaj Anderlechtit më 5 gusht, pritet të jetë një forcë më shumë për sulmin gjatë sezonit të ardhshëm të kampionatit.
Laçi ia doli të arrijë një kualifikim historik në turin e tretë të Conference league, pasi eliminoi në mënyrë surprizë rumunët e Universitateas së Craiovës, një ekip me buxhet shumë më të madhe dhe lojtarë shumë më cilësorë në përbërje.
Megjithatë bardhezinjtë do të luajnë për herë të parë në historinë e tyre në turin e tretë eliminator të një kompeticioni europian, teksa shorti u ka vënë përballë gjigantët belgë të Anderlechtit, një ekip me mjaft tradita në arenën europiane dhe që ka nxjerrë shumë yje të futbollit botëror.