Presidenti Agim Ademi sot së bashku me anëtarët e KE-së, Ismajl Ajeti dhe Agim Nura, ky i fundit njëherësh kryetar i LRF të Gjakovës, e kanë vizituar KF “Vëllaznimi” dhe KF “Rahoveci”, për ta parë nga afër gjendjen dhe organizimin e këtyre klubeve në prag të edicionit të ri të garave.
Presidenti Ademi i ofroi mbështetjen e FFK-së drejtuesve të këtyre klubeve dhe i përgëzoi për riorganizimin që janë duke e bërë para kampionatit të ri.
Në anën tjetër drejtuesit e KF “Vëllaznimi” dhe ata të KF “Rahoveci” falënderuan presidentin Ademi për vizitën, interesimin dhe përkrahjen e vazhdueshme që i ka dhënë dhe po i jep klubeve sidomos në periudhën e vështirë gjatë pandemisë.
Ata e njoftuan delegacionin e FFK-së rreth përgatitjeve që janë duke i bërë për edicionin e ri, teksa u zotuan se do të jenë dukshëm më të organizuar se sa në kampionatin paraprak.