Historia e Laçit në Europë u shkrua në Rumani, por kurbinasit besojnë te mrekullia e radhës, ndonëse përballë kanë një emër me peshë në futbollin europian, Anderlehti.
Takimi i parë i raundit të tretë të Konferencë Ligës mes Laçit dhe Anderlehtit do të luhet sot në orën 19:00 në “Elbasan Arena”, teksa kurbinasit do të tentojnë gjithçka për gjithçka.
Trajneri Shpëtim Duro gjatë gjithë javës i ka bërë llogaritë e formacionit për ndeshjen e parë me Anderlehtin pa praninë e Julian Shehut, i cili me kartonin e verdhë që mori në Rumani humbi mundësinë për të luajtur sot.
Por, dy ditë para ndeshjes kurbinasit kanë marrë një goditje edhe më të madhe, pasi kanë humbur edhe shërbimet e mesfushorit me tipare sulmuese, Mentor Mazrekaj, i cili shikohej si një nga promotorët e fazës ofensive të Laçit. Madje, edhe belgët i druheshin 32- vjeçarit kosovar, ku mediat i bënin apel Anderlehtit që të kishin kujdes nga Mazrekaj dhe kujtonin dy golat e shënuar në kampionatin e fundit nga goditjet nga këndi.
Kësisoj teknikut kryeqytetas iu desh të improvizonte në formacion, teksa vendin e Shehut e ka zënë Qato, ndërkohë që në vend të Mazrekaj, është hedhur nga minuta e parë, Ilir Ademi, afrimi më i fundit në merkato i bardhezinjve, i cili do të bëjë kështu debutimin me Laçin.
FORMACIONET ZYRTARE:
LAÇI: Sherri, Roganoviç, Malota, Ignjatoviç, Velija, Deliu, Qato, Lushkja, Ademi, Zarubica, Guinda. Trajner: Shpëtim Duro.
ANDERLEHT: Van Kromburge, Delkroix, Hoedt, Haarhud-Bellis, Serxhio Gomez, Olson, Kullen, Sardela, Rafaelov, Versçaren, Raman. Trajner: Vinsent Kompani,