Teksa bota e futbollit është e tronditur nga lamtumira e Messi-t dhe shifrat e çmendura që po qarkullojnë për transferimin e Grealish (100 milionë sterlina) dhe Lukaku-t, Milan vazhdon kërkimet për të gjetur zëvendësuesin e Hakan Calhanoglu, i transferuar tek Inter-i.
Mes emrave të ndryshëm në listën e kuqezinjve, nga Vlasic te Ziyech, është një që për momentin duket se është në avantazh të dukshëm ndaj të tjerëve: Josip Ilicic.
Slloveni i Atalanta-s ka informuar klubin se ka dëshirë të ndërrojë ambient dhe do të ishte i lumtur të transferohej te Milan-i, skuadër me të cilën e ka arritur prej kohësh marrëveshjen.
Maldini dhe Massara e pëlqejnë shumë sllovenin, por për momentin konsiderohet shumë e lartë kërkesa 8 milionë euro e Atalanta-s.
Qëllimi i kuqezinjve është ai që të presin disa ditë: operacioni Ilicic mund të mbyllet edhe në javën e fundit të merkatos, për ta marrë me kushtet më të mira të mundshme duke u mbështetur edhe te marrëveshja e arritur me lojtarin.