Pep Guardiola i mbyll derën e Manchester City-t Lionel Messit. Trajneri i kampionëve të Anglisë deklaroi se klubit të tij nuk i intereson afrimi i “yllit” Argjentinas, pasi ka prioritete të tjera. Ditën që Messi shpalli divorcin përfundimtar me Barcelonën, City prezantoi Jack Grealish, për të cilin shpenzoi plot 100 milionë stërlina.
“Kemi shpenzuar 100 milionë euro për Jack Grealish, sepse ishim tepër të bindur për të dhe sepse ishim të bindur se Leo do të vazhdonte te Barcelona, kështu që për momentin ai nuk është në planet tona. Absolutisht jo”.
Në konferencën për shtyp në prag të Community Shield, kundër Leicesterit, trajneri spanjoll e pranoi se që ajo që po ndodh me Messin është surprizë për të gjithë.
“Ishte surprizë për të gjithë, përfshirë edhe mua. Presidenti Laporta ishte i qartë sot. Nuk kam folur me Messin ose presidentin kështu që nuk e di se çfarë ndodhi, por si tifoz do të doja që ai të qëndronte. Klubi duhet të jetë i qëndrueshëm dhe ajo që ka ndodhur vitin e kaluar nuk ka qenë e mire. Si tifoz, kam një mirënjohje të jashtëzakonshme për lojtarin më të jashtëzakonshëm që kam parë në jetën time, për titujt që më ndihmoi të fitoj në krye të Barcelonës”.
Më tej, Pepit iu desh t’u përgjigjej pyetjeje për Harry Kane, që nuk ka pranuar të dalë në stërvitje te Tottenhami.
“Harry Kane është një sulmues i jashtëzakonshëm, nuk ka dyshime për këtë. Sigurisht që ne jemi të interesuar, por ai është një lojtar i Tottenhamit dhe nëse ata nuk duan të negociojnë nuk ka asgjë më shumë për të thënë. Nëse ata duan, ne do ta provojmë".