Lille e nisi mirë sezonin e ri duke mposhtur Paris Saint Germain dhe duke fituar Superkupën e Francës. Me emra si Yilmaz, Yazici, David, Ikone në repartin e avancuar, kampionët janë të favorizuar për të marrë tre pikët në sfidën debutuese ndaj Metz, skuadër të cilën sezonin e kaluar e mposhtën dy herë.
Përveç duelit të orës 17:00 mes kampionëve në fuqi dhe Metz, në mbrëmje në orën 20:45 në ekranin e Supersport do të keni mundësi të ndiqni edhe duelin mes Montpellier dhe Marseille.
OM me një trajner si Jorge Sampaoli synon Championsin në këtë sezon të ri, sepse me një Paris Saint Germain që është shndërruar në një skuadër të frikshme me afrimet e verës, për titull vështirë se mund të flitet.
Marseille ka blerë ish-mesfushorin e Romës Gerson për 25 milionë euro nga Flamengo ndërkohë që në ekip janë afruar edhe mesfushori Guendouzi dhe sulmuesi Cengiz Under me këtë të fundit që do të përpiqet të kompesojë disi largimin e Florian Thauvin te Tigres në Meksikë.
Me polakun Arkadiusz Milik që vazhdon të jetë i dëmtuar përballë Montpellier, Marseille nuk do ta ketë të thjeshtë edhe pse skuadra e Sampaolit do të tentojë me të gjitha mënyrat të marrë tre pikët.