Merkatoja verore ka qënë intensive dhe për shumë lojtarë të rëndësishëm të skuadrës tonë Kombëtare që kanë ndryshuar skuadra dhe kanë nisur eksperienca të reja.
Mbrëmjen e djeshme janë zyrtarizuar edhe transferimet e Odise Roshit dhe Ardian Ismajlit të cilët në sezonin 2021-2022 do ta nisin si protagonist me “fanella të reja”.
Roshi, mesfushori assist i Kombëtares kuqezi, ka përfunduar eksperiencën e tij në Hungari te DVTK ku u aktivizua për gjashtë muaj pas dëmtimit të rëndë që kishte pësuar, dhe ka zgjedhur që karrierën e tij ta vazhdojë në Turqi, te Boluspor, ku do të gjejë edhe portierin Gentian Selmani dhe Këpucën e Artë të Kategorisë Superiore në edicionin 2020-2021, Dejvi Bregu që u transferua nga kampionët e Teutës.
Ardian Ismajli, qendërmbrojtësi kuqezi, që numëron 18 ndeshje dhe 1 gol me Kombëtaren, pas sezonit të parë në Serie A te Spezia ku u transferua verën e shkuar nga Hajduk Split, këtë edicion do ta nisë me fanellën e Empolit ku u transferua mbrëmjen e djeshme dhe bëri prezantimin me skuadrën e tij të re.
Te skuadra toskane Ismajli do ti bashkohet Nedir Bajramit dhe Kristjan Asllanit që gjithashtu janë pjesë e Kombëtares A dhe asaj U-21, duke krijuar një treshe kuqezi te Empoli.