Një vendim madhështor i Kuvendit Komunal të Pejës! Palestrën sportive në Zahaq të Pejës, e emërojnë me emrat e legjendave të futbollit, vëllezërit Fadil dhe Xhevdet Muriqi.
Vëllëzërit Muriqi i dhanë shumë futbollit të Kosovës, të cilët në vitet e 80-ta (1983-1988) me sukses u paraqitën në petkun e Prishtinës, kur garonte në Ligën e Parë të ish Jugosllavisë. Fadili dhe Xhevdeti, ishin alfa dhe omega e klubit bardhekaltër.
Vëllezërit Muriqi përveç në Prishtinë u paraqitën edhe në Kroaci, Fadili në Rijekë e Xhevdeti në Shibenik.
![Image](/media/botasot.info/images/2021/August/12/auto_225866147_1058145791591941_1689584912143191283_n1628771573.jpg)
Vendimi i kuvendit komunal të Pejës
Kuvendi Komunal i Pejës lëshon vendimin.
“Vendim: Mbi emërimin e Palestrës Sportive në fshatin Zahaq të Komunës së Pejës.
1. Miratohet vendimi për emërimin e palestrës sportive në fshatin Zahaq, Komuna e Pejës, me emrin e futbollistëve të mirënjohur 'Fadil dhe Xhevdet Muriqi'.
![Image](/media/botasot.info/images/2021/August/12/auto_81628771577.jpg)
2. Sipas pikës 1 të këtij vendimi, palestra Sportive në f. Zahaq, Komuna e Pejës, emërohet me emrin 'Fadil dhe Xhevdet Muriqi'.
3. Për zbatimin e këtij vendimi do të kujdeset kryetari i Komunës dhe Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sporte e Komunës së Pejës.
4. Ky vendim hynë në fuqi 15 ditë pas regjistrimit në zyrën e protokollit të MAPL-së, si dhe 7 ditë pas publikimit në ueb faqen zyrtare të Komunës”, njofton në vendimin zyrtar të Kuvendit Komunal të Pejës.
![Image](/media/botasot.info/images/2021/August/12/auto_01628771588.jpg)
Xhavit Muriqi është i lumtur që propozimi i tij u bë realitet.
“Njoftoj adhuruesit e futbollit posaçërisht të vëllezërve Fadil e Xhevdet Muriqi, që nga sot zyrtarisht palestra e sporteve në fshatin Zahaq e bartë emrin e tyre me vendimin e kuvendit të Pejës.
Falënderoj kryetarin e kuvendit dr. Islam Husaj, deputetët e kuvendit, Departamentin e Sportit dhe komisionin për emërim që e aprovuan kërkesën time për këtë emërim.
Posaçërisht e falënderoj komunitetin e fshatrave Zahaq, Llabjan, Nabërgjan, Bashçe e Madhe dhe Bllagaje që me përkrahen në këtë iniciativë”, ka shkruar Xhavit Muriqi në profilin e tij në facebook.
Fadili dhe Xhevdeti, lanë gjurmë të pashlyeshme në ish ligën federative, që sot me krenari kujtohen dhe secili me lojërat e tyre.