Teuta besoi shumë te cilësitë e Taulant Seferit, si një sulmues që ka luajtur në Zvicër dhe është pjesë e Kombëtares shqiptare.
Mirëpo, pas 6 ndeshjesh të ndara mes Ligës së Kampioneve dhe Ligës së Konferencës, mund të thuhet me plot gojën se huazimi i tij nga Tirana te durrsakët rezultoi i dështuar.
Sulmuesi nuk arriti të shënojë asnjë gol me fanellën e “djemve të detit”, edhe pse trajneri Edi Martini insistoi pa fund për të luajtur gjithnjë si titullar me Seferin në repartin e avancuar. Ardhja e tij në formë huazimi nga Tirana aneksoi totalisht sulmuesin Blerim Krasniqi, që u largua më pas nga durrsakët.
Në të njëjtën kohë, Martini hezitoi të aktivizonte titullar maqedonasin Gjeorgiev, i cili është investim i klubit durrsak. Tashmë Seferi do të rikthehet te Tirana, aty ku në muajin qershor rinovoi kontratën.