Ndeshjen e fundit zyrtare me tifozët në shkallët e stadiumit, Barcelona e ka luajtur në marsin e vitit 2020 dhe kundërshtar ka qenë Real Sociedad, i njëjti ekip që do të sfidojë katalanët sërish në “Camp Nou” në sfidën e parë të sezonit të ri, që shënon edhe rikthimin e fansave në impiantin mitik, pasi në shkallë pritet të jenë rreth 30 mijë spektatorë.
Megjithatë ndryshimi i madh është në fushën e lojës, pasi këtë herë Barcelona do të rreshtohet pa yllin argjentinas Lionel Messi, i cili u largua pak ditë më parë, për t’iu bashkuar Paris Saint Germain në kampionatin francez.
Por çfarë do të shohin tifozët në fushën e “Camp Nou”-t?
A është Barcelona e madhe, pak më e vogël tani? Këto janë disa nga pikëpyetjet të cilave trajneri Koeman dhe skuadra “blaugrana” do të provojnë t’u japin përgjigje në fushën e lojës.