Mund ta quani çmenduri, por një reklamë u shfaq në internet, ku shihej një pecetë që supozohej se i përkiste Lionel Messit, i cili e përdori atë ndërsa fshiu lotët në konferencën e lamtumirës për ish-klubin e tij, Barcelonën. Një person anonim e postoi reklamën në platformën Mercado Libre, një kompani e-commerce dhe ankandesh në internet. Ai pohoi se përveç lotëve, edhe mukoza e hundës së yllit argjentinas të futbollit gjendet në pecetë.
"Ai është gati të heqë dorë nga peceta për një shumë prej 1 milion dollarësh dhe ta dërgojë atë në çdo vend kudo në botë," –shkruhej në postim.
Lionel Messi nuk mundi ta përmbante veten në konferencën, ndërsa u shfaq për t'i dhënë lamtumirën ish-klubit të tij të dielën e kaluar, ndërsa bashkëshortja, Antonella Roccuzzo, i dha një pecetë për të fshirë lotët.
Edhe pse nuk dihet nëse peceta 1 milion dollarëshe është vërtet ajo që Messi përdori për të fshirë lotët, askush nuk e ka komentuar faktin e kësaj çështjeje.
Tani presim të mësojmë për fatin e pecetës!