Befason trajneri i Dortmundit

Futboll

Befason trajneri i Dortmundit

Më: 18 gusht 2021 Në ora: 11:59
Befason trajneri i Dortmundit

Marco Rose ka këmbëngulur se Erling Haaland mund të qëndrojë te Borussia Dortmund përtej sezonit 2021-2022, mes zërave të vazhdueshëm të transferimit për norvegjezin. Haaland është shfaqur si një nga sulmuesit më të kërkuar në Europë gjatë dy viteve të fundit, pasi spikati në Ligën e Kampionëve me Red Bull Salzburg, para se të rrëmbehet nga Dortmund në janar 2020.

BVB e ka bërë të qartë se 21-vjeçari nuk do të shitet këtë verë, por klube si Real Madridi, Chelsea, Manchester United dhe Manchester City kanë gati ofertat me shumë para, për t’i bërë në fund të sezonit aktual. Rose nuk mendon se është e sigurt që Haaland do të largohet nga “Westfalenstadion” vitin e ardhshëm, veçanërisht nëse Dortmund fiton ndonjë trofe deri në fund të sezonit.

“Ai ende ka një kontratë afatgjatë me ne. Vetëm sepse publiku po flet vazhdimisht për largimin e tij nga BVB, verën e ardhshme, kjo nuk duhet të jetë domosdoshmërisht e vërtetë, – tha trajneri i Dortmund gjatë një interviste me “Sport Bild”.

– Në fund, Erling duhet të vendosë vetë se ku e sheh të ardhmen e tij. Në çdo rast, ne jemi të lumtur që aktualisht po luan për ne. Pastaj, kush e di, ndoshta do të jetë edhe më shumë se vetëm një sezon këtu, nëse shkruajmë ndonjë histori të jashtëzakonshme”.

Haaland u angazhua me një marrëveshje 4-vjeçare me Dortmundin, pas mbërritjes së tij nga Salzburgu, dhe ka akoma 3 vite për ta përfunduar këtë kontratë. Sidoqoftë, është raportuar se kontrata aktuale përfshin një klauzolë të blerjes prej 75 milionë eurosh, e cila do të bëhet aktive në verën e vitit 2022.

“Sport1”, ndërkohë, raportoi më 17 gusht se klauzola e lirimit të Haaland mund të rritet në të vërtetë deri në 90 milionë euro, në varësi të performancës së ekipit këtë sezon.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat