Janë luajtur ndeshjet e para të UEFA Futsal Champions League të vlefshme për fazën kualifikuese të Grupit C.
Sfida e parë mes hungarezëve të Haladas dhe norvegjezëve të Utleiras. Sfida e luajtur në sallën e lojërave me dorë të Parkut Olimpik të Tiranës ka qenë mjaft e bukur dhe ka dhuruar gola e emocione. Pas një pjese të parë të ekuilibruar, në pjesën e dytë hungarezët e Haladas kanë treguar superioritetin e tyre, duke triumfuar me rezultatin 5-1.
Në sfidën e dytë të ditës të luajtur po në Parkun Olimpik, përballë janë vënë luksemburgasit e Differdange me Tiranën. Edhe kjo një ndeshje mjaft e bukur dhe me nivel të lartë. Pas një pjese të parë shumë të mirë, që u mbyll me shifrat 0-0, në pjesën e dytë Tirana arriti të gjente golin e parë me anë të Qerimit në minutën e 25-të. Një gol që karikon bardheblutë, të cilët pas 4 minutash gjejnë edhe golin e dytë me anë të një kundërsulmi, që finalizohet po nga Qerimi. Por Differdange nuk dorëzohet dhe reagon shumë shpejt, duke ngushtuar shifrat me golin e Torres.
Gjithsesi, bardheblutë arrijnë të mbajnë kontroll ndeshjen dhe e menaxhojnë mirë, duke gjetur golin e 3-1 kur kishin mbetur edhe dy minuta nga përfundimi i sfidës me anë të Halimit. Gjithsesi, Differdange reagon shumë shpejt dhe ngushton rezultatin në 3-2me golin e Bocum. Pa kaluar as një minutë Tirana shënon sërish me Kelmendin, pas një aksioni këmbëngulës duke fiksuar rezultatin në 4-2. Kësisoj, ekipi shqiptar triumfon dhe e nis me këmbën e mbarë kompeticionin europian.
Të dielën e 22 gushtit ndeshja e orës 17:00 është Differdange (LUX) – Haladas (HUN), ndërsa në ora 20:30 luhet Tirana (ALB) – Utleira (NOR).
Dy sfidat e fundit të Grupit C luhen më 24 gusht 2021. E para që nis në ora 17:00 është Utleira (NOR) – Differdange (LUX), kurse në 20:30 starton sfida Tirana (ALB) – Haladas (HUN). Nëse Tirana arrin të kalojë turin do të njihet me rivalët në fazën tjetër të kompeticionit në shortin që hidhet nga UEFA më 30 gusht.