Lukaku: Dua gola dhe fitore

Futboll

Lukaku: Dua gola dhe fitore

Më: 22 gusht 2021 Në ora: 12:22
Lukaku: Dua gola dhe fitore

Dëshirë për t’u bërë legjendë në klubin që i besoi i pari pas Anderlehtit. Kjo dallohet në intervistën që Romelu Lukaku ka dhënë për “BBC”. Nuk e mohon rritjen gjatë përvojës me Interin e Kontes, por tashmë ndien se është në vendin e duhur e, për më tepër, në momentin e duhur. Sulmuesi fillimisht ka komentuar raportin me trajnerin Tuhel, për të cilin tha: “Nuk dua të bëj krahasime me asnjë nga trajnerët që kam pasur.

Nuk më pëlqejnë diferencime pasi gjithsecili ka të mirat e tij. Nëpërmjet stërvitjes do të njihemi më mirë dhe do të kuptoj akoma më tepër se çfarë kërkon nga unë.

Tuhel është nga ata që i ndryshon shpesh skuadrat dhe qasjen taktike. Kjo më intrigoi dhe ishte shtysa më e madhe që të vija te Çelsi e të luaja nën urdhrat e tij. Për mendimin tim është një takticien dhe mezi pres të zbres në fushë”.

DERBI “I PARË” – Nesër në 17:30 do të ketë mundësi të debutojë përsëri me fanellën e Çelsit në dhjetë vite diferencë nga hera e fundit. Lukaku mezi pret të zbresë në fushë siç e konfirmon edhe vetë duke thënë: “Ka shumë kuptim për mua ky rikthim. Kam thënë që ishte dëshirë fëmijërie të luaja për Çelsin e tani jam këtu.

Shkoj në stërvitje me dëshirë dhe vendosmëri në mënyrë që të ndihmoj sa më shumë ekipin për të fituar ndeshjen. Suksesi është i vetmi aspekt që ka rëndësi”.

Një fitore për Çelsin që nuk regjistron një sukses kundër Arsenalit prej dy vjetësh do të ishte një nisje e mirë. Ky mision është i qartë edhe për 28- vjeçarin që në fund të deklaratës së tij shtoi:

“Dua të luaj mirë e të shënoj, por në fund duhen rrëmbyer tri pikët. Ky është mentaliteti me të cilin përballohen ndeshjet në këto nivele. Nëse nuk shënon dhe ekipi fiton është diçka e mirë, por duke qenë protagonist, atëherë edhe respekti për veten rritet. Këtë mendoj vazhdimisht. Nëse shënojmë dhe fitojmë, do të jem vërtet i lumtur”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat