Oferta nga Portugalia dhe Kroacia

Futboll

Oferta nga Portugalia dhe Kroacia

Më: 24 gusht 2021 Në ora: 11:30
Oferta nga Portugalia dhe Kroacia

Bylisi nuk i ka mbyllur llogaritë me shitjet. Këtë herë po bëhen gati për një tjetër “operacion”, ndoshta më të madhin për këtë merkato vere. Bëhet fjalë për Marçelino Prekën, mbrojtësin e talentuar 18-vjeçar. Burime zyrtare pranë klubit bëjnë me dije për “Panorama Sport” se për lojtarin, që është edhe kapiten i Kombëtares U-19, ka shumë kërkesa.

Megjithatë, më seriozet janë vetëm dy (të cilat kanë ardhur edhe në klub) dhe po merren seriozisht në konsideratë prej drejtuesve. Bisedimet kanë avancuar ndjeshëm dhe pritet që në javën e ardhshme të ketë edhe konkretizim të marrëveshjes. Sikurse ka bërë me dije më parë gazeta, pistat që shqyrtohen janë Portugalia e Kroacia. Ballshiotët disponojnë edhe kartonin e të riut, ndaj do të përfitojnë një shumë të konsiderueshme nga shitja e mundshme.

Nëse për Prekën do të ishte hapi i madh në karrierë, për klubin më e leverdishmja financiarisht. Ata jo vetëm që do të përfitojnë, por do të bëjnë çmos që të mbajnë përqindje të kartonit. Sapo të mbyllen bisedimet, mund të vijë edhe lajmi i madh për lojtarin dhe arkat e ballshiotëve rrjedhimisht.

Marçelino Preka u bë vetëm vjet pjesë e Bylisit, madje debutoi që në moshën 17-vjeçare në Kategorinë Superiore. Ai luajti më shumë se 10 ndeshje si titullar, duke dëshmuar rritje të ndjeshme nga ndeshja në ndeshje.

Shkodrani dallohet për maturinë në fushë dhe shtatlartësinë, duke rënë jo pak në sy edhe në sfidat elitarë. Ai shumë shpejt do të jetë në grumbullimet e ekipit Shpresa U-21. Ballshiotët po joshen gjithnjë e më shumë nga strategjia që po ndjekin dhe nuk kanë në plan që të heqin dorë nga shitjet.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat