Drejtuesit e Arsenalit fillojnë të dëgjojnë ofertat për sulmuesin Pierre-Emerick Aubameyang.
Futbollisti i përfaqësueses së Gabonit konsiderohet një ndër sulmuesit më efikasë të Premier League-s, megjithatë në harkun e vetëm pak muajve gjërat kanë ndryshuar dhe me sa kuptohet krerët e klubit kanë vendosur për ta nxjerrë në shitje lojtarin që deri pak kohë më parë mbante shiritin e kapitenit te “Topçinjtë”.
Historia e tij te klubi i famshëm londinez u ndërlikua ndjeshëm pas vonesës në stërvitje dhe duket se që nga ai moment marrëdhënia e 32-vjeçarit me trajnerin spanjoll të Arsenalit ka pësuar një krisje të madhe.
Vetëm pak kohë më parë Aubameyang konsiderohej si njëri prej lojtarëve më të mirë të ekipit londinez dhe u shndërrua madje në një futbollist të pazëvendësueshëm për teknikun bask, por situata ndryshoi menjëherë pas gjobës së marrë dhe përjashtimit nga seanca stërvitore, pasi u paraqit me disa minuta vonesë në London Colney, në Hertfordshire, në Qendrën Stërvitore të Klubit të Arsenalit.