Presidenti i Empolit, Fabricio Korsi, duket e ka kuptuar se me Nedim Bajramin ka bërë një investim të shkëlqyer. Forma e mesfushorit shqiptar ra në sy që në ndeshjen e parë të Serisë A ndaj Lacios ku ai dha një asist e pastaj edhe goditi traversën e portës së lacialëve.
Ndaj në një intervistë të dhënë së fundmi në mediat italiane, ai nuk ka kursyer vlerësimet e tij për mesfushorin i cili po pret përgjigjen e KAS të Lozanës për të mësuar nëse do të luajë me Shqipërinë apo jo.
“Sipas meje do të ketë një karrierë të madhe, galopimi prej 50 metrash që bëri në rastin e golit të parë është spektakël i vërtetë”, ishin fjalët e tij për “Radio Kiss Kiss Napoli”.
Bajrami u transferua dy vite më parë te Empoli e tashmë është kthyer në lider të padiskutueshëm te kjo skuadër, siç e tregoi në javën e parë në kampionat duke marrë vlerësime nga mediat sportive dhe ekspertët në futbollin italian.