Lautaro Martinez ka fituar zemrat e gjithë ambientit zikaltër, aq më tepër pasi konfirmoi dëshirën për të qëndruar në Milano, por ende nuk ka luajtur ndeshjen e tij të parë zyrtare për këtë sezon.
Argjentinasi ishte i detyruar të kapërcente ndeshjen ndaj Xhenoas për shkak të kartonit të kuq të marrë në ndeshjen e fundit të kampionatit të kaluar ndaj Udinezes, por edhe nga problemet muskulore të javëve të fundit.
Sot “Demi” është stërvitur veçmas nga grupi, por tek Interi janë optimistë dhe nëse çdo gjë do të shkojë mirë, zikaltrit e presin në fushë për ndeshjen ndaj Veronës.
Kështu Inzagi do të ketë mundësi të luajë 3-5-2 e tij, ndërsa Lautaro do të kthehet në fushën e blertë, kësaj here me tifozët në shkallët e stadiumit.
24-vjeçari siguroi edhe thirrjen e Skalonit për ndeshjet e kombëtares së Argjentinës këtë shtator.