Një episod fatkeq ndodhi jashtë qendrës sportive “Trigoria”, selisë së Romës. Mesfushori Amadou Diawara ishte protagonisti i një sherri me një tifoz verdhekuq. Ultrasi i Romës e ofendoi futbollistin guineas, të lindur më 1997, duke e ftuar atë me mënyra jo të mira për t’u larguar nga skuadra në merkaton e kësaj vere. Ish-lojtari i Napolit reagoi duke zbritur nga makina për t’u përballur me tifozin.
Fakti u konfirmua në konferencën për shtyp, në prag të ndeshjes së dytë të “play-off”-it të Ligës së Konferencës kundër Trabzonspor, të planifikuar për nesër në “Olimpico”, nga trajneri i Romës, Jose Mourinho:
“Kjo ngjarje nuk është asgjë, nuk është një episod i agresionit fizik, është i fjalëve që provokuan një reagim të vogël. Nuk është një dramë dhe nuk ka asgjë të veçantë”.
E ardhmja e Amadou Diawara te kryeqytetasit mbetet pezull. 24-vjeçari mund të largohet në ditët e fundit të tregut të transferimeve, me Mourinho që la hapur çdo mundësi:
“Merkatoja është e hapur deri më 31 gusht, diçka mund të ndodhë. Mund të ndodhë që Diawara të qëndrojë me ne. Dhe nëse qëndron është një alternativë. Ai është një profesionist i mirë, një njeri i mirë, një djalë fantastik. Nëse qëndron është një plus për ne, nuk është problem. Ne të gjithë jemi të qetë”.