“Ishte e pabesueshme të shihja pritjen që më bënë tifozët e “Spurs” të dielën dhe të lexoja disa nga mesazhet e mbështetjes që kam marrë prej tyre javët e fundit. Unë do të qëndroj te Tottenham edhe këtë verë dhe do të jem 100% i fokusuar për ta ndihmuar klubin të arrijë suksese”.
Me këto fjalë në llogarinë e tij në Twitter, Harry Kane ka zyrtarizuar qëndrimin e tij me “Spurs” deri verën e ardhshme, të paktën.
Mision i kryer për Fabio Paratici dhe drejtuesit e Tottenham. Kapiteni i Anglisë ishte joshur nga Manchester City, i cili dukej i gatshëm të bënte çmenduri për ta marrë kësaj vere. Sulmuesi kishte qenë protagonist i disa episodeve të diskutueshme në fillim të merkatos, siç ishte mbërritja e vonë në përgatitjet parasezonale.
Të gjitha këto episode nuk çuan kurrë në thyerjen përfundimtare me klubin. Në fund të kësaj “telenovele”, Kane do të luajë përsëri për Tottenham e trajnerit të ri Espirito Santo. Gati për një sezon të ri, me të njëjtat ngjyra.