Arsenali ka regjistruar startin më të dobët në historinë e tij 118-vjeçare, pasi ka humbur të dy ndeshjet e para të kampionatit dhe për më tepër nuk ka shënuar ende asnjë gol, teksa së fundi edhe e ardhmja e trajnerit Mikel Arteta është vënë në pikëpyetje.
Megjithatë ka nga ana që shkojnë edhe më lart për të gjetur fajtorin dhe drejtojnë gishtin nga drejtori teknik Edu, i cili u rikthye te Arsenal në korrikun e 2019-ës dhe që atëherë ka shpenzuar 355 milionë paundë në merkato, por këto para nuk janë përkthyer në rezultate.
Kieran Tierney, Martin Odegaard dhe Gabriel Martinelli janë futbollistët e vetëm që deri tani kanë justifikuar plotësisht investimin e bërë për ta dhe që quhen një sukses për drejtorin teknik të “topçinjve”, që të tre këta i ka sjellë në Londër për vetëm 61 milionë paundë.
Megjithatë Edu vuri veton për të shpenzuar shifra të mëdha si 72 milionë paundët për kartonin e Nicolas Pepe, i cili erdhi si një nga futbollistët më premtues, por ka një mungesë të theksuar të vazhdimësisë dhe nuk po arrin të justifikojë aspak paratë e shpenzuara për të.
As lojtarë si Gabriel e Thomas Partey deri tani nuk kanë justifikuar shpenzimin e bërë për ta, kryesisht për shkak të dëmtimeve të shpeshta, por edhe për mungesë të përshtatjes me futbollin anglez, pasi veçanërisht ish mesfushori i Atleticos së Madridit ka vuajtur jo pak ritmin e lartë të lojës.
Ndër gabimet e tjera të Edu kanë qenë edhe vendimi për të blerë për 8 milionë paundë mbrojtësin brazilian David Luiz, që përveç lidershipit në dhomat e zhveshjes, nuk ofronte asgjë tjetër, pasi ka zhgënjyer thuajse gjithmonë kur kishte nevojë për të në fushën e lojës.
Edhe braziliani tjetër Willian, që dukej si një “Pazar” mjaft i mirë i Edu, pasi erdhi me parametra zero, nuk ka justifikuar për asnjë moment pagën e tij stratosferike te Arsenali, ndërsa tani pritet që të largohet drejt kampionatit brazilian, ku e pret Corinthiasi.
Një tjetër gabim i drejtorit teknik të Arsenalit, ishte që la të lirë portierin argjentinas Emiliano Martinez, i cili u rrit ndjeshëm te Aston Villa dhe është shndërruar ndër emrat më të kërkuar në treg, megjithatë edhe këtë herë Edu provoi të korrigjojë gabimin, duke shpenzuar 24 milionë paundë për anglezin Aron Ramsdale.
Javët e ardhshme janë një test pa diskutim për trajnerin spanjoll Mikel Arteta, por edhe për brazilianin Edu do ta ketë shumë të vështirë të konfirmohet në postin e tij, nëse lojtarët që ka përzgjedhur për të sjellë në Londër, nuk do të justifikojnë besimin dhe shpenzimin me performancën e tyre.