Pas triumfit 1-2 në sfidën e parë ndaj Trabzonspor në Turqi, Roma është vetëm 90 minuta larg kualifikimit për në fazën e grupeve të kompeticionit më të ri të UEFA-s, Conference League, i cili është një tjetër ekskluzivitet i SuperSport.
Verdhekuqtë do të zbresin sërish në “Olimpico”, aty ku të dielën në mbrëmje triumfuan ndaj Fiorentinës, por këtë herë me misionin për të mbrojtur avantazhin 2-1 ndaj Trabzonsporit dhe për të vijuar më tej.
Jose Mourinho doli në konferencën e zakonshme për shtyp, ku deklaroi se skuadra duhet të luajë sikur gjithçka është 0-0 dhe paralajmëroi se nuk do të bëjë shumë ndryshime në formacion, pasi do të luajnë më të mirët.
“Nuk mendoj se është momenti për të bërë ndryshime. Sezoni sapo ka filluar dhe është herët për t’u lodhur. Për më tepër, është një ndeshje vendimtare dhe në fushë do të zbresin lojtarët që janë më në formë. Kemi një avantazh, por kjo nuk ndryshon asgjë, pasi duhet të zbresim në fushë e ta vlerësojmë takimin si të ishte një ndeshje teke dhe rezultati të ishte 0-0”, u shpreh portugezi.
Tifozëria verdhekuqe ka krijuar një afeksion të menjëhershëm me trajnerin Mourinho dhe e ka shfaqur këtë edhe në sfidën e parë të kampionatit, ndërsa tekniku portugez pranon se pret që nesër ata të japin një tjetër shtysë për të arritur kualifikimin.
“Mbështetja e tifozëve ka qenë fantastike në ndeshjen e parë dhe ne duhet ta forcojmë këtë lidhje përmes lojës dhe asaj që japim në fushë. Mund të ndodhë që nuk luan mirë, por jep gjithçka në fushë dhe këtë tifozët arrijnë ta kuptojnë e të mbështesin. Kjo është ajo që duhet të arrijmë në raport me fansat tanë”, tha Mourinho.