Raportet e shumta nga mediat italiane thonë se agjenti i Cristiano Ronaldos, Jorge Mendes ka mbërritur në Torino për bisedime urgjente me sulmuesin e Juventusit, mes raporteve që po e lidhin atë me PSG-në dhe Manchester Cityn.
Ditëve të fundit është raportuar shumë mbi të ardhmen e Ronaldos dhe mediat kanë raportuar se portugezi është i bindur se koha e tij në Juventus ka mbaruar, përcjellë KosovaPress.
Paga e tij prej 30 milionë eurosh në sezon është një problem i madh për t’u trajtuar, për të mos përmendur që Juventusi dëshiron 30 milionë euro për të shmangur humbjen në transferimin e tij prej 117 milionë eurosh nga Real Madridi në vitin 2018.
Kontrata e fituesit të Topit të Artë do të skadojë në fund të këtij sezoni dhe ai nuk ka shprehur interesim për rinovimin e saj.
Tani Mendes ka mbërritur në Torino për bisedime urgjente si me Ronaldon ashtu edhe me Juventusin, derisa afati kalimtar veror po i ofrohet fundit.
La Gazzetta dello Sport, Calciomercato.com dhe mediat tjera raportojnë se Mendes mbërriti në aeroportin Caselle në Torino me një avion privat këtë pasdite dhe shkoi direkt në shtëpinë e Ronaldos.
Manchester City mund të jetë i interesuar për nënshkrimin e CR7, por jo me një çmim të lartë.