Bayer Leverkusen rrëmben talentin francez Amine Adli. Klubi gjerman fitoi garën me disa skuadra europiane, të cilat ndiqnin prej muajsh 21-vjeçarin e Toulouses dhe ia doli ta sjellë atë në “Bay Arena”.
Operacioni u krye për një shifër prej 12 milionë eurosh, që mund të shkojë deri në 15 milionë euro bashkë me bonuset, ndërsa 21-vjeçari firmosi një kontratë 5-vjeçare me “aspirinat” dhe nisi menjëherë aventurën e re.
“Është një goditje shumë e rëndësishme, pasi Adli kompleton më së miri “mozaikun” tonë. Është një djalosh i ri, që ka një ndërthurje mjaft të mirë të shpejtësisë dhe cilësive teknike, ndaj jam i lumtur që na zgjodhi pikërisht ne”, deklaroi drejtori sportiv i klubit gjerman, Simon Rolfes.
Amine Adli është blerë për të zëvendësuar Leon Bailey-n, i cili u transferua këtë verë te Aston Villa, ndërsa vetë 21-vjeçari francez deklaroi se Leverkusen është klubi ideal për të vijuar karrierën, pasi skuadra ka lojtarë me cilësi teknike dhe bën një lojë mjaft agresive.