Armando Broja lë gjurmë sa herë që zbret në fushë. Debutimi me Sauthemptonin shkoi në mënyrën më të mirë, teksa krahas fitores 0-8, sulmuesi kuqezi shënoi dopietë.
Paraqitje mbresëlënëse me dy gola si një bomber race me eksperiencë.
Veprimi i bukur në zonë për golin e parë pas 9 minutash apo edhe goditja potente jashtë saj bënë që debutimi i bomberit 19-vjeçar të ishte fantastik.
Në rrjetet sociale, pas ndeshjes së tij të parë me skuadrën e Premier Ligës, Broja ka ndarë me ndjekësit e tij në “Instagram” edhe komentet për dopietën dhe startin me Sauthemptonin.
“Performancë shumë e mirë e skuadrës në këtë ndeshje të fituar 0;8 kundër ekipit të Newportit. Jam shumë i lumtur për debutimin tim dhe për dy golat që shënova. Ju falënderoj shumë të gjithëve për mbështetjen tuaj, sidomos tifozët që na ndoqën në transfertë”, shkroi 19-vjeçari kuqezi në rrjetet sociale.
Tanimë, pritet që Broja, me këtë shpërthim dhe formë fantastike, të japë kontributin e tij edhe në Kombëtare, për të gjetur edhe golin e parë që do të pasohet më tej nga shumë të tjerë, nisur nga forma e tij dhe mosha mjaft e re, vetëm 19 vjeç.