Sacchi: Serie A humbi solistin më të mirë. Tani Allegri ka nevojë për…

Futboll

Sacchi: Serie A humbi solistin më të mirë. Tani Allegri ka nevojë për…

Më: 28 gusht 2021 Në ora: 13:05
Sacchi

“A shkoi Ronaldo vërtet vetë te Manchester United dhe jo te City?” Kjo është pyetja që ngrihet tani, të cilës mundohet t’i japë përgjigje edhe Arrigo Sacchi: “Jam i lumtur si përfundoi, sepse Cristiano Ronaldo nuk e kupton mirë lojën e ekipit të mikut tim, Pep Guardiola. Manchester City luan futboll total, ndërsa Ronaldo nuk është një futbollist total, edhe pse mbetet gjithmonë një fenomen”. Sacchi analizon objektivisht rrugën e Ronaldos në Itali dhe spekulon mbi zhvillimet pas vajtjes së tij në Premier League.

Serie A humbet një yll, a mendoni dhe ju kështu?
Një solist i madh largohet, ndoshta më i miri. Por futbolli është një sport që luhet me 11 veta, kolektivi llogaritet. Individi nuk mund të fitojë, nëse nuk ka ndihmën e të tjerëve. Maradona ishte më i madhi, por i vetëm zgjidhte një ndeshje, nuk fitonte dot një kompeticion.

Por ai fitoi një Kupë Bote pothuajse vetëm, më 1986…
Unë e di mirë, më besoni: individi ka nevojë për ekipin më shumë sesa ekipi ka nevojë për një lojtar të vetëm. Ronaldo u ble për të fituar Ligën e Kampionëve, por Juve nuk e fitoi atë. Dhe a e dini pse? Ju fitoni nëse keni një ekip, në të cilin individët janë integruar në mënyrë perfekte dhe gati të sakrifikojnë veten për të tjerët.

Si e gjykoni përvojën e Ronaldos në Itali?
Më shkon në mendje se ai mund të kishte arritur më herët në ligën tonë. Në 2003, kur isha drejtori teknik i Parmës, ne i ofruam 12 milionë euro Sporting Lisbona, por më pas Manchester United dha 16 ose 17 milionë dhe e fitoi ankandin. Gjithsesi, Ronaldo bëri mirë te Juve, shënoi shumë. Ai, kur sheh golat, është një fenomen. Ronaldo luan për këtë. Nëse ka një mundësi, ai shënon dy gola. Por, me të në skuadër mos vini bast për një kolektiv manovrues.

Kjo lamtumirë i ndau fansat…
Logjike, sepse tifozët e Juventusit janë mësuar gjithmonë të mendojnë se futbolli është një sport individual. Ata janë të dashur për kampionët, me të drejtë. I duan ata, i adhurojnë.

Tre trajnerë: së pari Allegri, pastaj Sarri dhe Pirlo. Cili është Ronaldo më i mirë?
Unë nuk kam vënë re dallime të mëdha. Ai gjithmonë bën të njëjtat gjëra dhe i bën ato në një nivel shumë të lartë. Logjikisht, duhet të ushqehet me pasime, ta prekë topin shpesh, të ketë mundësi për të goditur në portë. Për këtë duhet të jetë në një ekip që dominon fushën, sepse është mjeshtër i sfidës.

Po tani çfarë ndodh me Juven?
Unë nuk mund ta di. Ama e kuptoj se është një transferim i dhimbshëm dhe se menaxherët e trajneri do të duhet të punojnë për të siguruar që shenja të mos mbetet.

A u dobësua skuadra bardhezi?
Le të kthehemi në diskursin e zakonshëm: nëse mendoni se futbolli është një sport individual, po. Nëse në vend të kësaj ne mendojmë për futbollin si një sport ekipor, atëherë unë them se nga kjo shitje bardhezinjtë mund të marrim energji për një të ardhme edhe më të ndritur.

Në çfare kuptimi?
Tani, pa Ronaldon, të tjerët do të duhet të bëhen edhe më shumë grup. Ata do të kenë përgjegjësi më të mëdha. Askush nuk do të jetë në gjendje të thotë më: ​​Ronaldo do që të kujdesemi për të! Oh, jo! Ronaldo ka ikur, tani të tjerët duhet të marrin përgjegjësinë për lojën, duke manovruar, gjithçka. Dhe do të jetë mirë për Juven, sepse ka mundësinë të bëhet një kolektiv i vërtetë, në të cilin individët lartësohen, sepse janë integruar në mënyrë të përsosur në grup. Vetëm përmes këtij hapi themelor mund të bëhet dominues në garat europiane.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat