VAR në Superkupë? Duka: Mendova se investuam kot…

Futboll

VAR në Superkupë? Duka: Mendova se investuam kot…

Më: 29 gusht 2021 Në ora: 08:25
Armand Duka

Armand Duka, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, ndoqi në stadium duelin mes Teutës dhe Vllaznisë për finalen e Superkupës. Pas ndeshjes ai foli për atë që pa në fushën e blertë, si dhe aplikimin e VAR në këtë sfidë dhe në tërësi në futbollin shqiptar. Jashtë fokusit nuk ishte as kombëtarja, që luan në fillim të shtatorit dy finale me Poloninë dhe Hungarinë.

“Në fakt ndeshja e Superkupës është një lloj starti i sezonit të ri, edhe pse luhet mes dy fituesve të sezonit të shkuar. Është më shumë një finale nderi për ekipin që ka fituar titullin dhe atë që ka fituar kupën. Për mua ishte shumë e bukur, e luftuar, deri diku e barabartë. Për një incident Vllaznia pësoi një gol dhe më pas Teuta e kishte më të lehtë”.

“VAR? Pothuajse në të gjithë lojën nuk është se kishte nevojë për VAR. Për një moment mendova se kot kemi investuar, pasi nuk kemi nevojë për VAR-in (qesh). Edhe për VAR-in ishte një test. Është ndeshja e parë zyrtare, pas testeve në miqësore. Do duhet koha e vet që të shkojë në nivelet më të larta për të pasur sa më pak gabime.

Duhet prodhim sinjali shumë më i mirë, që arbitrat të vendosin më saktë përmes pamjeve të qarta. Njoftimet nuk ishin perfekte në stadium, që tifozët ta kuptojnë. Besoj se këto gjëra do riparohen me nisjen e sezonet. VAR-i minimizon gabimet që ndikojnë në rezultat, si penalltitë, pozicionet jashtë loje, kartonët e kuq. Tentohet drejt minimizimit të gabimeve:.

“Kombëtarja? Është një rifillim i ri, pasi vijmë në kombëtare me disa risi. Do ketë tifozë, të cilët na kanë munguar. Do ketë VAR edhe në ndeshjet e Shqipërisë. Luajmë më kundërshtarë direkt, si Polonia e Hungaria.

Në këto ndeshje ndahen rrugët se kush shkon për larg dhe kush largohet nga objektivat. Kemi kërkuar tifozë më shumë se 30% të kapacitetit të stadiumit, por nuk varet nga ne. Urojmë të ulet numri i të infektuarve, të ketë më shumë vaksinime dhe më pas Komiteti Teknik Shkencor të vendosë të lejojë më shumë tifozë”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat