Manchester United ka privilegjin për të mbyllur takimet e javës së tretë në Premier League dhe impenjimin e radhës “djajtë e kuq” do ta kenë jashtë fushës së tyre, me “ujqërit” e Wolverhampton Wanderers. Befas gjithcka ka ndryshuar si me magji dhe kthimi i Cristiano Ronaldo-s në Carrington i fut bindshëm “red devils” në vallen e titullit.
Një verë e gjatë dhe tepër e nxehtë, që nuk do të harrohet kurrë, sepse pas transferimit të Lionel Mesit në Le Championnat në radhët e Paris SG, ndryshoi skuadër gjithashtu edhe ylli i famshëm portugez, që me sa kuptohet dëgjoi zemrën dhe hoqi dorë në castet e fundit nga një kalim i mundshëm te City i Guardiolës.
Nga sa u zbulua më pas nga mediat e ndryshme në ishull, te një vendim i tillë influencuan “senatorët e përjetshëm” të “djajve të kuq”: Gary Neville, Rio Ferdinand dhe Patrice Evra, por ai që ndikoi më shumë nga të gjithë ishte padyshim vetë Alex Ferguson.
79-vjecari skocez nuk mund ta linte djalin e tij shpirtëror që të shkonte dhe të ndihmonte rivalët e urryer të qytetit, kështuqë tani të gjithë janë të qetë dhe tepër të kënaqur në këtë pjesë të Manchester-it. City shkatërroi Arsenalin në takimin hapës të kësaj jave, kështuqë radhën për t’u kundërpërgjigjur e kanë pikërisht futbollistët e ekipit të drejtuar nga trajneri Ole Gunnar Solskjaer..
“Ujqërit” nuk njohin fitore ndaj “djajve të kuq” në gjashtë sfidat e fundit në të gjithë aktivitetet, madje United ka triumfuar në 3 nga 4 përballjet e fundit ndërmjet tyre, por gjithsesi bëhet fjalë për fitore minimale. Ndeshja do të luhet në orën 17:30 në Stadiumin Molineux dhe do të drejtohet nga kryesori veteran Mike Dean.