Viti i fundit për Edi Martinin ka qenë i jashtëzakonshëm.
Në drejtimin e Teutës, nga gushti 2020, në gushtin 2021, ai ka arritur të ngrejë lart 4 trofe kombëtarë me durrsakët, duke fituar thuajse gjithçka për të cilën luante skuadra e tij.
Nisi me Kupën e Shqipërisë, finalja e të cilës u luajt në 2 gushtin e vitit të kaluar për shkak të situatës me COVID dhe shtyrjes së kampionatit. Aty Teuta mundi 2-0 Tiranën, dhe e përsëriti suksesin vetëm pak javë më vonë në Superkupën që u luajt në 31 gusht, duke mundur 2-1 bardheblutë.
Më pas, erdhi titulli kampion me durrsakët i festuar në fund të muajt maj 2021, e këtë të shtunë, edhe Superkupa e dytë radhazi, me një sukses përballë Vllaznisë.
“E katërta, shpresoj dhe besoj tek e pesta, si thoni ju?”, ishte postimi i Martinit në rrjetet sociale ku sigurisht ka marrë përgëzime të shumta për punën që ka bërë me durrsakët në këto dy sezone duke i kthyer në ekipin kryesor e më fitimtar të futbollit në vendin tonë.