Vllaznia synon mrekullinë ndaj Juventusit

Futboll

Vllaznia synon mrekullinë ndaj Juventusit

Më: 1 shtator 2021 Në ora: 11:44
Vllaznia synon mrekullinë ndaj Juventusit

Vllaznia e futbollit të femrave do të zbresë në fushë mbrëmjen e sotme në orën 19:00 në stadiumin “Loro Boriçi” për ndeshjen e raundit të dytë të Ligës së Kampioneve, teksa do të përballet me një emër gjigant të Europës, siç është Juventusi.

Një sfidë historike për të gjithë futbollin e femrave në vendin tonë, e cila po pritet me interes shumë të madh në Shkodër, ku vajzat kuqeblu do të kenë mbështetjen e zjarrtë të publikut. Përveç dominimit me 8 tituj kampionë radhazi në Shqipëri, Vllaznia është kthyer në një garanci edhe në Europë, aty kur për herë të dytë ka arritur të futet mes 32 ekipeve më të mira të kontinentit. Vajzat kuqeblu kaluan në raundin e parë Ferencvaroshin e Hungarisë, ndërsa tashmë do të matin forcat me kampionet e Italisë. Ashtu sikurse shkodranet, edhe Juventusi kërkon që të sigurojë fazën e grupeve në Champions, që do të ishte hera e parë për to, shkruan Panorama Sport.

Skuadra bardhezi, e krijuar në vitin 2017, është dominuese absolute në futbollit italian, duke fituar 4 tituj radhazi në Serinë A. Ndeshja e sotme në Shkodër do të arbitrohet nga një treshe kroate, me kryesore Sabina Boliç. Ndërkohë, Juventusi ka mbërritur në Shqipëri pasditen e djeshme. Skuadra piemonteze, e cila ka në përbërje bazën e kombëtares italiane, duket shumë e karikuar për këtë sfidë e kjo konfirmohet qartë nga fjalët e trajnerit australian Xho Montemurro.

Gjatë një prononcimi për mediat pas mbërritjes në aeroportin “Nënë Tereza”, trajneri Xho Montemurro foli për sfidën në Champions ndaj Vllaznisë, duke e vlerësuar shumë skuadrën shkodrane: “Vllazninë e njohim. Kemi parë disa video të ndeshjeve të tyre dhe duhet të përballemi me shumë  respekt. Bëhet fjalë për një ekip shumë kompakt që ka aftësi të mira. Për këtë ne duhet të tregohemi shumë të kujdesshëm për të mos e nënvlerësuar, pasi janë kampionet e Shqipërisë. Mendoj që do të jetë një ndeshje e bukur”, u shpreh fillimisht trajneri i skuadrës bardhezi. I pyetur nëse e shikon si avantazh ndeshjen e dytë në Torino, Montemurro tha:

“Jo, aspak. Duhet ta vlerësojmë shumë ndeshjen e parë dhe më pas të mendojmë për ndeshjen e kthimit në fushën tonë”.

Trajneri australian më pas foli edhe për gjendjen e skuadrës së tij: “Ekipi është në një formë optimale. Kemi zhvilluar një përgatitje të mirë dhe 22 lojtaret janë në dispozicion”. Ashtu sikurse Vllaznia, edhe Juventusi kërkon biletën e parë në historinë e klubit për në fazën e grupeve:

“Shpresoj që Juventusi të futet për herë të parë në grupet e Championsit, pasi kjo do të ishte diçka e madhe për klubin, vajzat dhe për gjithë futbollin italian”, përfundoi 51-vjeçari. Kujtojmë se ishte menaxheri i mirënjohur shqiptar Mario Cenolli, ai që bëri të mundur këtë verë kalimin e trajnerit Xho Montemurro nga skuadra e Arsenalit për te Juventusi.

Ndërkohë, kompanitë e basteve e konsiderojnë si një formalitet fitoren e Juventusit në “Loro Boriçi”, duke e kuotuar me koeficientin 1.02. Suksesi i Vllaznisë vlerësohet me koeficientin 38, ndërsa barazimi 19.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat