Agjenti i Donny van de Beek, Guido Albers, ka shprehur zhgënjimin e tij për Manchester United, i cili nuk bashkëpunoi në negociatat e merkatos për klientin e tij, mes interesimit nga klubet e Serie A, Bundesliga dhe Premier League.
Van de Beek ka luftuar për të përmbushur pritshmëritë në “Old Trafford” që prej kalimit të tij prej 35 milionë paundësh te “Djajtë e Kuq” nga Ajaxi, në shtator 2020, me Ole Gunnar Solskjaer që ende nuk i beson mesfushorit minuta të rregullta në formacionin e tij startues.
Holandezi është kontraktuar të qëndrojë te Manchester United deri në vitin 2025, por ishte i lidhur fort me një largim nga klubi në merkaton e verës. Albers tani ka zbuluar se e pa rrugën e largimit nga “Old Trafford” të bllokuar. Agjenti i Van de Beek pret që tani t’i jepet shansi 24-vjeçarit për ta provuar veten në Manchester.
“Kishte shumë interes nga Italia, Gjermania, Anglia, – tha Albers për “Voetbal International”. – Pra, prognoza ishte e mirë, por ju keni nevojë për bashkëpunimin e klubit. Dukej sikur Manchester United donte ta shiste klientin tim, por në fund nuk e bëri.
Jam i zhgënjyer, por edhe sigurues për të. Ai duhet të ketë shansin e tij, të marrë minutat e tij, por kjo do të bëhet e qartë në kohën e duhur. Atij i ishte premtuar më parë, por ne arritëm një marrëveshje të qartë për këtë me klubin, kështu që të gjithë kemi besim se kjo do të ndodhë tani”.
I pyetur nëse Van de Beek nuk është i kënaqur me situatën, ai shtoi: “Nuk do të shprehem për këtë, por të gjithë ata që e njohin Donny e dinë se e do futbollin dhe dëshiron të jetë në fushë çdo javë. Pra, nga kjo përgjigje, ndoshta mund të kuptoni atë që ai do më shumë”.