Oferta e fundit e madhe u dorëzua dje në mesditë. E treta, gjithashtu e injoruar. 200 milionë euro për një lojtar që i skadon kontrata vitin e ardhshëm dhe do të jetë në gjendje të pajtohet me një klub tjetër duke filluar që nga 1 janari 2022. Kylian Mbappé, tani për tani mbetet te PSG dhe nuk shkon te Real Madridi.
Florentino Perez e donte menjëherë yllin francez. Ai është dikush që e njeh tregun e futbollit si pak njerëz dhe e di se gjithçka mund të ndodhë në katër muaj. Oferta e tij arriti te presidenti i PSG, Al-Khelaifi dhe drejtori sportiv Leonardo, por jo tek Emir Al Thani. Ata u përpoqën ta kontaktonin gjatë gjithë ditës, por pa sukses.
Ai nuk iu përgjigj kërkesave, nuk donte, në fakt, ta shiste kampionin e tij te një konkurrent direkt për Ligën e Kampionëve, siç është Real Madridi. Ai nuk mori parasysh interesin e “Los Blancos” dhe dëshirat e lojtarit, i cili tashmë kishte refuzuar gjashtë propozime për rinovim me parizienët.
PSG preferon të përpiqet ta bindë të zgjasë marrëveshjen aktuale në vend që ta shesë tani. Një rrezik i madh i marrë përsipër, sepse preferon ta humbasë atë falas vitin e ardhshëm sesa të mos ketë provuar gjithçka për ta bindur që të qëndrojë.
Dhe do ta bëjë përsëri, me merkaton e mbyllur. Oferta e fundit, thotë “Le Parisien”, shkoi përtej pritshmërive: rinovim edhe për dy sezone të tjera, me një kontratë neto prej 45 milionë eurosh. Shumë stratosferike që do t’i kishte lëkundur të gjithë, por jo Mbappé, i cili do të kishte fituar më shumë se Neymar (35 milionë euro në sezon) dhe gjithashtu më shumë se Messi (40).
Ai do të bëhej lojtari më i paguar në skuadër, por me një marrëveshje afatshkurtër, e cila do ta linte atë “të lirë” në moshën 25 vjeç. Dështimi për t’iu përgjigjur Real Madridit, në fund të fundit, konfirmon atë që tashmë ishte e njohur për të gjithë: në Katar, më shumë se në Paris, nuk e vuajnë çështjen e parave, por të krenarisë.
Real Madridi i madh u injorua dhe u snubua nga një klub që nuk ka as Ligën e Kampionëve në palmaresin e vet. Në Valdebebas, në zyrat ku Florentino Perez u shfaq dje pasdite, nuk e morën fare mirë refuzimin. Dhe me sa duket as Mbappé, i përfshirë në grumbullimin e kombëtares së drejtuar nga Deschamps.