Cristiano Ronaldo është i angazhuar me kombëtaren portugeze në eliminatoret për Botërorin 2022 por ka gjetur kohën për të folur për here të parë si lojtar i Man. United. Për kanalin zyrtar të “Djajve të Kuq”, portugezi flet për rikthimin e madh, largimi nga Juventusi dhe sigurisht ndikimin e një njeriu të madh si Sir Alex Ferguson në vendimin e tij për të zgjedhur ish klubin e tij.
“Jam shumë i lumtur që u riktheva pas 12 vitesh në shtëpi dhe mezi po pres të luaj ndeshjen e parë. Transferimi këtu është vendimi më i mirë që mund të merrja. Erdha nga Juventusi te Manchesteri, është një tjetër kapitull në jetën time, dua të bëj historinë këtu dhe të ndihmoj skuadrën që të fitoj të tjerë trofe. Ferguson? Siç e dine të gjithë, ishte shumë i rëndësishëm kur firmosa kontratën e parë me Manchester United. Ai është si një baba për mua, më mësoi shumë gjëra. Kemi mbajtur gjithmonë kontakte bashkë dhe ai ka lujtur një rol thelbësor në rikthimin tim këtu”.
36-vjeçari nuk i ka harruar vitet e tij te Man. United kur ka luajtur me Solskjaer teksa foli për raportet me të dhe në fund tha fjalë shumë të ëmbla për tifozët e “djajve të kuq”, shkruan Ora News.
“Kam folur shkurtimisht me Solskjaer por do të kemi kohë për të diskutuar kokë më kokë. Kam luajtur me të 2-3 vjet dhe kemi pasur një raport shumë të mirë. Tani ai është në tjetër rol, por mund të mbështetet te unë për çdo gjë. Tifozët? Ata janë çelësi i futbollit. Më në fund janë kthyer në stadium dhe gjërat kanë ndryshuar në krahasim me një vit më parë. Ata janë të veçantë, i mbaj mend shumë mirë. E di që ata vazhdojnë të këndojnë emrin tim dhe nga këndvështrimi im do të jap më të mirën time, të shënoj, të dhuroj asiste dhe të fitoj trofe. Shpresoj t’i shoh tifozët sa më shpejt”, përfundoi Ronaldo për kanalin zyrtar të Man. United.