Trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit, Edoardo Reja dhe kapiteni Etrit Berisha kanë dalë ditën e sotme në konferencën zyrtare për media, në prag të ndeshjes që Shqipëria do të zhvillojë ditën e nesërme ndaj Polonisë, sfidë e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Botëror “Katar 2022”, që do të nisë në ora 20:45 e që do të zhvillohet në stadiumin “PGE Narodoëy” në Varshavë.
Kapiteni Berisha e vlerësoi shumë lartë kundërshtarin e nesër duke thënë se ata kanë lojtar të klasit botëror, ndërsa ka shtuar se përballja me Lewandowskin nuk i jep frikë për shkak se ai tashmë përballet çdo javë me sulmues shumë të rrezikshëm.
Berisha: Jam mësuar tashmë duke u përballur me sulmues të rrezikshëm
“Polonia është një ekip shumë i mirë edhe pse ndoshta ka disa lojtarë që nuk janë të thirrur për momentin për shkak të lëndimeve mirëpo me rëndësi për ne si çdo ndeshje është që të paraqitemi mirë si skuadër dhe nuk ka rëndësi kush do të luajë. Me siguri që kanë shumë lojtarë cilësorë dhe yje botërore siç është Lewandowski mirëpo ne tani jemi mësuar që çdo javë të kemi lojtarë të rrezikshëm dhe shpresoj që nesër të gjithë së bashku si skuadër të bëjmë diferencën dhe t’i ndalojmë të gjitha sulmet e tyre...Gjëja e parë është që ndeshja të përgatitet në mënyrën më të mirë dhe ato gjera që i thotë misteri t’i bëjmë në fushe pasi jemi duke u përgatitur shumë mirë për ndeshje. Jemi duke i bërë edhe ato gjërat e fundit taktike që nesër të jemi gati për të zhvilluar një ndeshje që për ne do të thotë shumë nëse marrin një rezultat pozitiv.”, tha Berisha.
Gardiani kuqezi më tutje deklaroi se Shqipëria mund ta befasojë Poloninë duke hyrë në ndeshje me një vetëbesim të madh sepse një rezultat pozitiv mund t’iu jap forcë të madhe për të vazhduar tutje.
Berisha: Mund ta befasojmë Poloninë. Na duhet shumë fitorja
“Unë mendoj që ne kemi mundësi që ta surprizojmë Poloninë vetëm se duhet të kemi vetëbesim së pari dhe pastaj gjërat tjera t’i bëjmë me përpikëri siç është mënyra taktike dhe besoj që raste do kemi dhe shpresoj shumë që të bëjmë një rezultat pozitiv pasi që po fituam nesër me siguri se do na jep një forcë shumë të madhe për t’i vazhduar garat e më tutjeshme pasi që kemi një grup të mirë dhe besoj se mund ta bëjmë edhe një surprizë siç kemi ditur të bëjmë edhe më herët.”, tha Berisha.
Edhe trajneri Edi Reja duke folur për Poloninë, tha se pret një ndeshje shumë të fortë ndaj tyre, por që beson se skuadra që ai e drejton po rritet nga dita në ditë dhe ka cilësi të mjaftueshme për të përballuar ndeshje si kjo.
Reja: Ndeshje e fortë ndaj Polonisë, por kemi cilësi të mjaftueshme për t’iu bërë ballë
“Dimë që do të jetë një ndeshje shumë e fortë. Siç e thatë edhe ju pak më parë, Polonia ka një traditë shumë të mirë në fushë n e saj ka shtatë vite që nuk pëson asnjë humbje. Sigurisht që jemi të ndërgjegjshëm që është një ekip që ka vlera. Gjithsesi ne e dimë që po rritemi si skuadër, kemi bërë paraqitje të mira kohëve të fundit, kemi një ekip kompakt. Sigurisht sa i përket për pjesën e sulmit është diçka që dihet, kemi lojtarë shumë të mirë. Gjithashtu edhe mbrojtja kemi marrë gjithmonë shumë komplimente sa i përket repartit të mbrojtjes, kemi element shumë të mirë dhe kemi një repart solid.”, tha Reja.
Madje ai u ka tërhequr vërejtjen lojtarëve që në këtë ndeshje nuk duhet të bëhen gabime sepse do të ndëshkohen.
Reja: Në këtë ndeshje nuk duhet të bëjmë fare gabime
“Është një nga ato ndeshje ku ne nuk duhet të bëjmë asnjë gabim, nuk na lejohet asnjë gabim, janë shumë të fortë, ne duhet të jemi të kujdesshëm që të mos iu krijojmë hapësira dhe t’i godasim në kundërsulm.”, tha Reja.
Sa i përket markimit të Lewandowskit, Reja ka deklaruar se nuk mjafton vetëm një lojtar por për këtë duhet të punojë e gjithë skuadra pasi ai paraqet rrezikshmëri të lartë.
Reja: Për ta ndalur Lewandowskin duhet të punojë e gjithë skuadra
“Unë mendoj se duhet një organizim shumë më i mirë nga ana jonë për të markuar Lewandowskin. Unë mendoj se ai është një lojtar i jashtëzakonshëm në zonën e rreptësisë dhe mund të krijojë probleme të mëdha...Pra unë mendojë se duhet më shumë se një lojtar për ta mbajtur Lewandowskin nën kontroll, pra nuk është çështje thjesht markimi një për një, por duhet një punë shumë e mirë në të gjithë repartin mbrojtës... Uroj që ai mos të jetë në formë të mirë siç ka luajtur te Bayerni.”, tha trajneri i Shqipërisë.