Radamel Falcao kthehet në La Liga. Jo te Barcelona, Real Madridi ose Atletico Madridi “i tij”, sepse tani vitet në kartën e identitetit janë 35 dhe sezonet më të mira janë prapa. Sidoqoftë, kolumbiani ka një efekt të mirë në Spanjë, sidomos nëse mendoni se Rayo Vallecano do të jetë destinacioni i ri si futbollist.
Klubi i kryeqytetit, i sapopromovuar në La Liga, pasi fitoi “play off”e “Segunda Division” disa javë më parë, ka njoftuar zyrtarisht ardhjen e sulmuesit. Bëhet fjalë për transferim falas, sepse ditët e fundit, Falcao e kishte përfunduar kontratën e tij me Galatasaray, ku tani konsiderohej një barrë. Pra, e ka zgjedhur ekipin e tij të ri në mënyrë të pavarur.
Falcao ka firmosur për dy vite, deri më 30 qershor 2023. Megjithatë, duke qenë teknikisht një lojtar i lirë, klubi madrilen e mori lehtë, duke depozituar kontratën më 31 gusht dhe duke njoftuar vetëm sot transferimin e suksesshëm.
Ish-lojtari i Monaco, Manchester United dhe Chelsea po përgatitet për të filluar sezonin e tij të tretë në La Liga. Në dy të mëparshmit, të luajtur me Atletico Madrid, ai shënoi: 24 gola në të parin, 28 në të dytin. Gjithsej 52 gola. Një numër i madh.
Në tri javët e para të kampionatit, Rayo Vallecano ka grumbulluar 3 pikë. Pasi humbi ndaj Sevilla dhe Real Sociedad, kapërceu lehtësisht Granadën me fitore të qartë 4-0 në shtëpi.