Te Milani kanë frikë se xhevahiri kuqezi, Kessie, do të largohet nga klubi në fund të kontratës së tij, pasi refuzoi ofertën e fundit të madhe të rinovimit, që shkonte në 6.5 milionë euro, për të mbetur i lirë pas korrikut 2022.
Në klubin italian dyshojnë se pas këtij hezitimi të futbollistit nga Bregu i Fildishtë qëndron PSG dhe Leonardo, të cilët mund të gjejnë një “pre” tjetër në “San Siro”, pasi nënshkruan me Gigio Donnarumma falas këtë verë.
Mesfushori ka kaluar muaj duke u marrë me “pazare”, duke refuzuar ofertat e rinovimit të klubit të tij aktual. Ai kërkon 8 milionë euro në vit, plus 2 milionë bonuse të tjera. Shumë, të cilën sipas “Gazzetta dello Sport”, Al-Thani është gati t’ia ofrojë që nga janari.
PSG nuk është klubi i vetëm i interesuar për ndërkombëtarin e Bregut të Fildishtë, pasi nga Premier League gjithashtu i kanë sytë tek ai. Klubet si Tottenham dhe Liverpool e mbajnë nën vëzhgim.
Edhe Juventusi pritet ta kontaktojë, nëse Dybala nuk bindet të rinovojë.