Nesër, prej orës 18:00, në stadiumin “Elbasan Arena”, do të startojë sfida kualifikuese e Grupit I për Botërorin e Katarit, që do të zhvillohet vitin e ardhshëm, mes Shqipërisë dhe Hungarisë. Të dyja kombëtaret vijnë nga humbje shokuese, me nga 4 gola të pësuara secila ndaj Polonisë dhe Anglisë, respektivisht.
Prandaj, kërkohet reagim i menjëhershëm, por edhe fitore, si i vetmi rezultat që i mban kuqezinjtë në garë për vendin e dytë dhe kualifikim. Kapiteni Etrit Berisha kërkon të mos përsëriten gabimet e Varshavës, si rruga për të dalë faqebardhë në këtë sfidë të vështirë, ku për fat do të kthehen tifozët kuqezinj:
“Jemi të vetëdijshëm për lojën e zhvilluar në Poloni, bëmë gjëra të mira, por duhet të shmangim disa gabime. Te golat e pësuar nuk ishim të fokusuar sa duhet. Të mësojmë nga gabimet, nga golat e pësuar. Duhet të merrnim më shumë me lojën e treguar. Do mundohemi të japim më shumë ndaj Hungarisë dhe të kthehemi te fitorja.
Me siguri është një ndeshje shumë e rëndësishme për të dyja kombëtaret. Edhe me Poloninë ishte e rëndësishme. Kemi mundësinë që, nëse fitojmë nesër, ta vazhdojmë ëndrrën tonë. Është vendimtare për ne, për Hungarinë dhe ndoshta edhe për Poloninë.