Fati e desh që Denes Dibuzh të hynte në histori sot… për Shqipërinë. Portieri hungarez u aktivizua në pushimin e ndeshjes pasi titullari Peter Gulaçshi u dëmtua në kokë.
Dibuzh shpresonte të ndihmonte ekipin e tij, por në fund ishte ai që pësoi golin historik të Brojës që i dha suksesin kuqezinjve për herë të parë përballë hungarezëve dhe sipas tij, ndoshta kuqezinjtë e merituan më shumë.
“Duhet të jesh gati të hysh në fushë në çdo kohë, edhe pse nuk është një situatë e mirë zakonisht për një portier. Gula pësoi një dëmtim në kokë në pjesën e parë dhe ishte në dyshim nëse mund të vazhdonte. Unë dola menjëherë në nxemje dhe gjatë pushimit u vendos se ai duhej të ndalej.
U mundova që të ndihmoj skuadrën por për fat të keq nuk mundëm ta mbyllnim ndeshjen pa pësuar gol.
Rezultati të dhemb shumë. Mua më duhet të shoh përsëri golin, kam ndjesinë që e pashë topin shumë vonë ndaj nuk munda ta ndalja.
Nuk do të ishim shumë më para me një barazim dhe ta marrë djalli, vetëm shqiptarët kishin një rast në pjesën e dytë. Të dhemb ta thuash, por ndoshta ata e fituan këtë ndeshje me meritë.
Ne erdhëm këtu për të fituar, na vjen keq që nuk ia dolëm. Ishte një ndeshje e ndryshme nga ato të Europianit. Këto ndeshje janë të gjitha 50-50 tani, nuk mund të shkëputesh para, por t’i marrim sfidat një nga një. Ne duhej të ishim në kontroll të plotë këtu, por nuk ndodhi në këtë ndeshje”, tha portieri i Hungarisë pas sfidës.