Kombëtarja e Spanjës ka mbërritur sot në Kosovë, para ndeshjes në “Fadil Vokrri”.
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) Agim Ademi ka shfrytëzuar rastin që të ofrojë mirëseardhjen e tij drejt Kombëtares së Spanjës, përcjell KosovaPress.
“Sot kam kënaqësinë t’i dëshiroj mirëseardhje në Republikën e Kosovës ekspeditës së Kombëtares së Spanjës në krye me presidentin e Federatës Spanjolle, Luis Rubiales, i cili njëherësh është edhe zëvendës-president i UEFA-s. Spanja është njëra prej ekipeve më të mira në Evropë dhe në botë dhe do të jetë e mirëpritur në Kosovë, ku ndër vite ka pasur shumë fansa në vendin tonë për lojën dhe karakterin e treguar në fushën e gjelbër”, tha Ademi.
“Ata do të ndihen të lirë dhe si në shtëpinë e tyre. Po ashtu, besoj se “Dardanët” e paktë që do ta ketë fatin ta shohin këtë ndeshje në stadium, por edhe të gjithë ata të cilët do të jenë para ekraneve televizive do të kënaqen me lojën që do të shfaqet nga të dyja kombëtaret”, shtoi presidenti i FFK-së.
Po ashtu, Ademi sqaroi edhe situatën për lejimin e tifozëve në stadium, duke treguar që vetëm 10% e kapacitetit do të lejohet.
“I kërkoj opinionit që të kenë mirëkuptim për situatën pandemike dhe për numrin e vogël të shikuesve, pasi edhe këtë herë në bazë të masave të qeverisë vetëm 10% e kapacitetit të stadiumit do të jetë i shfrytëzueshëm dhe duhet ta respektojmë në përpikëri protokollin e UEFA-s, e këtu janë të përfshirë të gjithë pjesëmarrësit e ndeshjes, ekspedita e ekipeve, stafi organizativ, zyrtarët dhe tifozët “Dardanët”, përkrahja e të cilëve si asnjëherë më shumë i duhet Dardanëve tanë në fushë në mënyrë që eventualisht ta shkruajmë historinë në ndeshje me Spanjën”, tha Ademi.